a

Nenna Manufactory - 100% Natural, Waterless Skin and Hair Care products

9 Këshilla për Kujdesin e Lëkurës

Më pak për më shumë: disa gjeste të vogla që lëkura jote do t’i vlerësonte shumë!

Të kujdesesh për lëkurën është shumë më e thjeshtë se sa mund ta marrësh me mend.

Për më tepër, disa gjeste të thjeshta që mund t’i bëni përditë apo sa shpesh të mundeni as nuk lidhen drejtpërdrejtë vetëm me shëndetin e lëkurës, por me mirëqenien tuaj në përgjithësi. Kjo lejon që me një rrugë të kryeni disa punë dhe të merrni frytet e përkushtimit tuaj në disa forma njëherësh.

 

Nga ana tjetër, shëndeti i lëkurës fillon shumë hapa më parë sesa produkti që ju vini me aq përkushtim mbi lëkurë, në sasinë e duhur, me mënyrën e duhur të aplikimit, me kujdesin e duhur e të gjitha me rradhë…

Le të themi që kjo duhet të jetë qershia mbi tortë pas një përkushtimi dhe vetëdijeje të kultivuar që duhet të kemi për lëkurën në përditshmëri.

 

Nëse ka diçka që duhet të mbani mend patjetër për lëkurën e shëndetin tuaj është se ato funksionojnë të ndërlidhura.

Kur kujdesesh për shëndetin, përkujdesja jote do të rrezatohet edhe te lëkura.

Dhe kur i kushtoni vëmendje të veçantë lëkurës, patjetër që do të ndiheni më mirë.

 

Për ta bërë gjithë këtë më të thjeshtë dhe të mundur në përditshmëri, i hedhim bashkë një sy disa gjërave që mund të bëjmë herë pas here për lëkurë të shëndetshme.

 

1- Uji- nuk është kurrë shumë!

 

Uji që pijmë është ndryshe nga uji qelizor. Ky i fundit është uji që prodhojnë qelizat gjatë aktiviteteve të tyre normale.

Por, ekziston një lidhje e rëndësishme mes ujit që pijmë dhe ujit qelizor.

Uji që pijmë arrin gjakun kapilar dhe ndërvepron me qelizat duke i ndihmuar ato të largojnë me kollaj në gjak toksinat e prodhuara gjatë proceseve të tyre. Nga ana tjetër, kështu nxitet dhe vijimi i punës së tyre në gjendje të relaksuar dhe jo nën stres duke bërë që prodhimi i ujit qelizor të ndodhë në kushte të favorshme për qelizën dhe të sigurohet kështu hidratimi.

 

2- Dielli- më mirë pak se shumë!

 

Dielli është burimi natyral i vitaminës D, e rëndësishme për kockat, dhëmbët e lëkurën. Konkretisht, rrezatimi diellor nxit në qelizat e lëkurës prodhimin apo sintezën e vitaminës D.

Por, a e dini se qelizave të lëkurës i nevojitet fare pak energji diellore për të prodhuar vitaminën D?

Pjesa tjetër e energjisë diellore rrezikon të shkaktojë djegie e dëme afatgjata e jetëkërcënuese në lëkurë në rast se nuk mbrohemi me produkt SPF.

 

Produktet me SPF 30, 30+ lejojnë që lëkura të mbrohet fuqishëm (rreth 97%) ndaj rrezatimit UVB krahas UVA dhe pjesa tjetër e rrezatimit ndërvepron në mënyrë të sigurt me lëkurën për të nxitur sintezën e Vitaminës D.

 

Si në verë, ashtu dhe në dimër, produkti SPF është “rroba” e lëkurës sa herë dalim jashtë.

 

3- Çfarë hamë apo pijmë “lexohet” mbi lëkurë

 

Lëkura është harta më e madhe e jetës sonë, që nga poret, ngjyra, skuqjet, shenjat, nishanet, rrudhat e me rradhë.

Kjo hartë shfaq edhe nëse po i tregojmë kujdesin dhe mirënjohjen që i detyrohemi.

Të gjithë e dimë cilat mund të jenë ushqimet apo pijet më të dëmshme, por vazhdojmë dhe varemi prej tyre nga ana tjetër.

Duke qenë të vërtetë me veten dhe lëkurën dhe afatgjatë në zgjedhjet e mira, por jo të lehta, ka shumë rëndësi të gjejmë një balancë të mirë mes ushqyerjes së shëndetshme dhe ato pak “llastime” që ia lejojmë vetes.

 

4- Gjumi- rigjeneruesi më besnik dhe falas!

 

Faza e gjumit e njohur si “Gjumi i thellë” është pikërisht ajo që na jep ndjesinë e çlodhjes dhe rigjenerimit. 

Jo më kot- në këtë fazë, aktivitetet jetësore si rrahja e zemrës apo ritmi i frymëmarrjes mbahen nga truri në një minimum të nevojshëm… ndërkohë favorizohen procese të tjera të mahnitshme si ndarja qelizore, pra riprodhimi, rigjenerimi, riparimi i qelizave e indeve të të gjitha organeve, ndërtimi i muskujve, rimëkëmbja e sistemit imunitar dhe aftësia e trupit për t’u mbrojtur e luftuar sëmundje.

Procesi më i plotë dhe i vërtetë i rigjenerimit të të gjitha qelizave të të gjitha organeve ndodh pikërisht gjatë gjumit të thellë, prandaj mos ia mohoni kurrë këtë lëkurës apo shëndetit tuaj.

 

5- Po sikur 0 stres?

 

Gjendjet e stresit, ankthit, panikut janë të ngjashme në përgjigjet që nxisin në organizëm.

E thënë thjeshtë, këto gjendje i shkaktojnë organizmit një çrregullim të prioriteteve që ai ka natyrshëm për të mbajtur në balancë veprimtaritë e tij në sisteme, aparate, organe, inde e qeliza.

Stresi, ankthi apo paniku sinjalizohen nga pordhimi i Kortizolit duke sjellë më pas një riorganizim të prioriteteve- ka përparësi ruajtja e funksioneve të organeve jetike si truri, zemra e pulmoni ndërkohë veprimtaritë e tjera vijojnë “nën stres” pra, të sforcuara, një analogji me rastin e Gjumit të thellë më lart.

 

Duhet ta keni vënë re se si dikush në ankth ka ngjyrë të zbehtë të lëkurës. Kjo ndodh se gjaku kapilar tërhiqet drejt organeve të tjera psh. drejt trurit, pasi përcjellja e oksigjenit në lëkurë nuk është më një prioritet.

Qelizat e lëkurës patjetër që vijojnë punën e tyre, por të sforcuara, ndërkohë duhet të përballen dhe me efektet e tjera negative të Kortizolit.

 

6- Të mos harrojmë Dermatologun!

 

Pavarësisht kujdesit të përditshëm apo vetëdijes që mund të keni mbi rrezikun e ndonjë sëmundjeje të trashëguar të lëkurës, vizita te mjeku i specializuar nuk mund të zëvendësohet.

Dermatologu arrin të vlerësojë në mënyrë të plotë dhe profesionale shëndetin e lëkurës, flokëve, thonjve duke diagnostikuar dhe parandaluar sëmundje deri edhe jetëkërcënuese si kanceri i lëkurës.

Çfarëdolloj përpjekjeje dhe kujdesi që ne bëjmë do të ishte i njëanshëm dhe i paplotë pa konsultën e dermatologut.

 

7- Nuk ka lëkurë “të vështirë” apo “të keqe” sepse nuk ka lëkurë “perfekte”!

 

Si çdo tipar që kemi, edhe lëkura ka veçantitë e saj.

Hunda, faqet, sytë… janë kombinime unike që na bëjnë të kemi fytyrë të identifikueshme.

Edhe lëkura ka identitetin e saj… ngjyra, poret, elasticiteti, shenja apo nishane qe kemi… në këtë kuptim, identiteti i lëkurës është personal dhe nuk mund të krahasohet me dikë tjetër, njëlloj si dhe personaliteti.

Nëse mendoni se lëkura juaj ka pore të mëdha dhe kjo e bën atë të vështirë, duhet të dini gjithashtu që poret e mëdha ngadalësojnë nga ana strukturore procesin e plakjes.

 

8- Përzgjedhje e kujdesshme e produkteve 

 

Produktet përmbajnë shumë përbërës në formulimin e tyre, që nga ato më të thjeshtët si Ujë pastrues, Tonifikues etj e deri te produktet që pretendojnë zbardhjen e lëkurës apo që veprojnë kundër moshimit.

 

Për sa kohë merrni informacionin e duhur dhe bëni kërmimet tuaja si përdorues produkti mbi produktin dhe prodhuesin e tij, çdo zgjedhje mund të jetë e sigurt.

 

  • Si rregull i përgjithshëm, priruni të mos e mbingarkoni lëkurën me shumë produkte apo shumë kimikate si pjesë përbërëse të tyre.
  • Shmangni rutinat me shumë hapa për t’u ndjekur apo me shumë produkte për të aplikuar. Kjo gjë e saturon lëkurën, nuk e lejon të komunikojë nevojat dhe problemet që ka dhe e trajton atë si një organ jo-inteligjent që thjesht gëlltit çdo produkt që ne zgjedhim për të.
  • Përqendrohuni te higjiena e mirë me një larës apo pastrues natyral dhe te produkti SPF natyral me mbrojtje minerale (pra, jo kimike).
  • Zgjidhni 1-2 produkte për trajtim rigjenerues natën dhe 1 produkt që mund ta përzieni me atë SPF gjatë ditës. 
  • Priruni drejt produkteve Natyrale dhe/ose Organike dhe kërkoni të shihni vlerën 100% mbi to.

 

9- Të jemi bujarë dhe mirënjohës

 

Sido që të jetë, lëkura është mbi të gjitha një rrugë e hapur komunikimi e trupit me ne.

Sëmundje të ndryshme të organeve e sistemeve të tjera gjejnë mënyrën të shfaqen në lëkurë ende pa e ditur që vuajmë prej tyre dukeqenëse lëkura është organi më i madh dhe i dukshëm i trupit.

Përposë kësaj, lëkura jonë përballon çdo ditë ndotjen e ajrit, ujit, lodhjen, stresin, plagë të lehta në përditshmëri, faktorë atmosferikë, ndonjë reaksion medikamenti apo ushqimi… dhe kërkesën tonë ndaj saj për t’u dukur e përsosur.

 

E menduar gjatë, lëkura po bën kaq shumë për ne dhe shëndetin tonë.

 

Nëse kujtohemi nga pak çdo ditë edhe për këtë nder “të vogël-të madh” që na bën, do e vlerësojmë përherë e më tepër kapacitetin, inteligjencën, bujarinë dhe sofistikimin e saj!