Lulja e Akacias (Robinia pseudoacacia)
Lulja e Akacias- një anti-oksiduese e dyfishtë e lëkurës
Lulja e Akacias është një ndër pjesët e pemës së Akacias më të përdorura nga Industria e Dermokozmetikës apo Kozmeceutikës.
Në vendin tonë, pema e Akacias rritet në lartësitë 600-1400 metra.
Sa i takon pemës, ajo shfaq cilësi shumë të mira të mbrojtjes së natyrës e dherave duke penguar errozionin falë mënyrës së përhapjes së rrënjëve.
Nga ana tjetër, mënyra e pavarur sesi Akacia shumohet lejon që rreth një peme fillestare të nisin e të rriten dhe pemë të tjera.
Rritja e shpejtë dhe e dendur e pemëve të Akacias krijon një rrjetë nëntokësore të rrënjëve të tyre të cilat lidhin shtresat e dheut, sidomos gjatë rreshjeve e përmbytjeve, duke vepruar kështu kundër errozionit dhe rrëshkitjeve të dheut.
Pema e Akacias jeton aq sa dhe njeriu- një fakt interesant ky. Cikli jetësor i pemës, sa i takon kohëzgjatjes totale, i ngjan atij të njeriut, rreth 90 vjet. Në termat matës të jetës së pemëve, kjo është kohëzgjatje e shkurtër, por shkon në përputhje me shumimin e shpejtë dhe të shpeshtë të saj.
Sërish, nisur nga rritja e shpejtë e pemës, prerja e kontrolluar e tyre lejon që druri të përdoret në mënyrë të ndërgjegjshme nga Industria e lëndëve drusore.
Nga të gjitha pjesët e pemës së Akacias, njëra duket sikur i flet më shumë se tjetra natyrës.
Sa i takon Industrisë Dermokozmetike, vëmendja kthehet fuqishëm te lulja e Akacias.
Lulet e bardha dhe të vogla të Akacias kanë aromën e tyre tipike, të pastër, të njomë, pakëz të ëmbël, zgjuar nga nota citrike drejt fundit të nuhatjes, saqë në atë pikë ngjason në aromë me lulen e portokallit.
Është pikërisht periudha e fund-prillit që sheh lulet e para të Akacias, të cilat më pas lulëzojnë përgjatë gjithë majit e deri në fund të qershorit.
Nga lulja e Akacias do të vijnë mjaft benefite për lëkurën, sidomos sa i takon mirëmbajtjes së saj në zonat e ndotura dhe të industrializuara.
Në metropole, qytete të mëdha dhe zona me zhvillim industrial, ndotja e ajrit është një element shoqërues i pashmangshëm i përditshmërisë.
Gazet dhe mikrogrimcat që ngarkojnë ajrin bien lehtësisht në kontakt me lëkurën.
Një dukuri tjetër që vetëm së fundmi po konsiderohet si rast studimor nga komunitetet shkencore është se si ngarkesa e ajrit me elemente ndotëse deri në nivel mikrogrimcash e nanogrimcash mund të rrisë artificialisht dëmin e rrezeve ultraviolet në lëkurë.
Këto situata më lart përmblidhen në terma të përgjithshëm si plajke apo moshim i lëkurës nga ndotja.
Lulja e Akacias shfaq të jetë e pasur me komponime bioaktive të cilat moderojnë dëmin e pashmangshëm që i shkaktohet lëkurës nga ndotja e ajrit.
Ekstraktimi më efektiv i këtyre komponimeve mund të realizohet me teknologjinë inovatore SCFE (Supercritical Fluid Extraction), një proces ku krijohet një mjedis mbartës për këto komponime me anë të atomeve të Karbonit në strukturën molekulare të CO2 në gjendje të lëngët.
Komponimet kryesore të cilat kanë veti anti-oksiduese janë Flavonolet, Acidet Fenolike dhe Antocianinat.
Falë këtyre komponimeve 100% Natyrale, mund të themi se Ekstrakti i përftuar nga Lulja e Akacias dhe i sjellë në formën e produktit fundor me kontenitorë me pikatore ka efekt të dyfishtë anti-oksidues.
Si e realizojnë mbrojtjen e lëkurës nga ndotësit në ajër komponimet e mësipërme?
Ulin numrin e radikaleve të lira që mund të krijohen në lëkurë nga ndërhyrja e vrazhdë e faktorëve mjedisorë, si rrezatimi UV, ndotës në ajër etj.
Pse janë të dëmshme radikalet e lira?
Radikalet e lira janë atome dhe molekula kimikisht reaktive që cënojnë qelizat e lëkurës duke ndërhyrë në strukturën dhe proceset e tyre.
Si ndihmon këtu një molekulë me veti “antioksiduese”?
Pengon shkëputjen e elektroneve që tejngarkohen me energji nga rrezatimi UV apo ndotës në ajër, si gazet, mikrogrimcat, nanogrimcat etj.
Nga ana tjetër, molekulat me veti anti-oksiduese te Ekstrakti Botanik i Lule Akacias lidhen gjithashtu me radikalet e lira tashmë të krijuara duke mos lejuar që të dëmtohen më tej qelizat e lëkurës.
Pra, nisur nga mekanizmi i veprimit të komponimeve si Flavonolet, Acidet Fenolike dhe Antocianinat realizohet moderimi me dy kahe veprimi i dëmeve në lëkurë nga faktorët mjedisorë.
Post a comment
You must be logged in to post a comment.